Një deklaratë e fortë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ka ngjallur debat në Greqi dhe më gjerë. Trump iu referua specifikisht disa vendeve europiane, mes tyre edhe Greqisë, për të kritikuar politikat e migracionit dhe kufijtë e hapur.
“Sipas Këshillit të Evropës, deri në vitin 2024, pothuajse 50% e të burgosurve në burgjet gjermane ishin të huaj ose emigrantë. Në Austri, numri ishte 53%. Në Greqi, 54%. Në Zvicër, 72%. Kur burgjet tuaja janë të mbushura me të ashtuquajtur azilkërkues që e shpërblejnë mirësinë me krim, është koha t’i japim fund eksperimentit të dështuar të kufijve të hapur."
Të dhënat e fundit nga Ministria greke e Mbrojtjes së Qytetarëve konfirmojnë se rreth 55% e të burgosurve në burgjet greke janë shtetas të huaj, një përqindje që mbështet deklaratën e ish-Presidentit amerikan.
Sipas statistikave zyrtare, më 31 janar 2024, në burgjet greke ndodheshin rreth 5,520 të burgosur të huaj. Numri total i të burgosurve ishte afërsisht 10,775, me një nivel mbushjeje prej 94.7% të kapacitetit. Vlen të theksohet se grupet më të mëdha të të burgosurve të huaj janë shqiptarët, algjerianët, pakistanezët, turqit, gjeorgjianët dhe afganët.
Të dhënat e raportuara nga mediat greke tregojnë se në vitin 2024, janë arrestuar 73,479 grekë, një rritje me 29.78% në krahasim me vitin 2022, kur u arrestuan 57,333. Ndërsa të huajt e arrestuar në 2024 ishin 57,150, me një rritje më të moderuar prej 2,938 krahasuar me vitin 2022 (ku ishin 54,212).
Megjithëse disa shtete të vogla europiane si Monako, Luksemburgu apo Qiproja kanë përqindje më të larta të të burgosurve të huaj, ato kanë popullatë shumë më të vogël dhe numër të kufizuar të burgosurish. Në Monako, për shembull, përqindja e të huajve në burg është 93.5%, por totali i të burgosurve është vetëm 31 persona.
Kështu, Greqia renditet realisht ndër vendet me numrin më të madh të të burgosurve të huaj në vlera absolute dhe në përqindje, duke e bërë situatën një çështje serioze për politikën e brendshme dhe atë të migracionit.