Një 36-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë greke pasi u kap duke lëvizur me shpejtësi ekstreme në autostradën Athinë–Korint, ndërkohë që postonte videot në rrjetet sociale plot krenari.
Shqiptari u arrestua nga Ekipi i Kontrollit dhe Parandalimit të Aksidenteve Rrugore pasi në një nga videot e publikuara ai tregonte se kishte arritur shpejtësinë 205 km/h, në një zonë ku limiti i lejuar është vetëm 80 km/h.
Në një tjetër video, 36-vjeçari shfaqej duke lëvizur me shpejtësi të madhe në zonë të banuar, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e kalimtarëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.
Sipas autoriteteve greke, ai ka publikuar edhe fotografi të makinave që përdorte, duke kontribuar në identifikimin dhe ndalimin e tij.
36-vjeçari është shoqëruar në prokurori me dosjen përkatëse të përgatitur nga Departamenti i Policisë Rrugore të Atikës Perëndimore, ku do të përballet me akuzat për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor dhe rrezikim të jetës publike.
Duhet thënë se raste të tilla ndodhin çdo ditë në Shqipëri, por askush s'merr mundimin të identifikojë apo ndëshkojë këta 'kamikazë rruge' që bëhen burim aksidenti dhe rrezikojnë jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.