Kapet në Tiranë 48-vjeçari i shumëkërkuar për vjedhje automjetesh, motorësh dhe targash

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.09.2025, 10:55

Një 48-vjeçar, i shpallur në kërkim kombëtar për një seri vjedhjesh në disa qytete të vendit, është arrestuar nga Policia e Tiranës. I dyshuari, me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, akuzohet për të paktën 20 raste të dokumentuara të vjedhjeve, kryesisht automjete, motorë dhe targa. Sipas hetimeve, Marjan Hema, vepronte me një skemë të mirëorganizuar, duke vjedhur mjete në një qytet dhe më pas duke udhëtuar në qytete të tjera për të vjedhur targa që më pas i përdorte për qëllime kriminale.

Vjedhësi përdorte targat për t’i montuar në automjete të tjera, ose dyshohet se i shiste tek grupe të strukturuara kriminale që i përdornin për të fshehur gjurmët e veprimtarisë së tyre të paligjshme. Në disa raste ai kishte modifikuar vetë targat për të shmangur identifikimin, si në rastin kur kishte ndryshuar një shkronjë nga “R” në “P”. Hetuesit po verifikojnë nëse këto mjete apo targa janë përdorur në ngjarje të rënda kriminale.

48-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, ndërsa po lëvizte me një motomjet të dyshuar si të vjedhur. Gjatë marrjes në pyetje ai dha deklarime kontradiktore, duke pretenduar se mjetin e kishte blerë nga persona të tjerë, por mohoi se kishte lidhje me vjedhjet. Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta për vepra penale të kryera në disa qytete gjatë periudhës maj-gusht 2025.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit