Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ka dërguar pamje që tregojnë një situatë të rrezikshme në aksin rrugor Qafë Thanë-Prrenjas.
Sipas tij, në segmentin e Qafë Thanës është hedhur vaj në rrugë, duke e bërë asfaltin të rrëshqitshëm dhe duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve. Qytetari paralajmëron se ky fenomen është i përsëritur dhe kërkon kujdes maksimal nga të gjithë përdoruesit e këtij aksi.
Në redaksinë e JOQ Albania janë raportuar edhe më herët raste të ngjashme, ku dyshohet se individë të papërgjegjshëm e bëjnë këtë qëllimisht, për të shkaktuar aksidente dhe për të përfituar më pas nga shërbimet e karrotrecëve.
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë për pastrimin e rrugës dhe të hetojnë rrethanat, në mënyrë që të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme.