Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë në vendin tonë: ndotja akustike pranë zonave të banuara.
Ajo ka dërguar një video, ku shihet një gëzim familjar i zhvilluar në ambientet e jashtme në zonën e ish-fushës së Aviacionit. Siç shprehet qytetarja, muzika e lëshuar me volum shumë të lartë e ka bërë të pamundur qëndrimin brenda banesave përreth, edhe pse me dritare të mbyllura.
Sipas saj, bëhet fjalë për “netët e valleve” që organizohen përpara dasmës, të cilat kanë nisur një ditë më parë dhe pritet të zgjasin deri të dielën.
“Urime çiftit të trashëgohet, por me njerëzillëk kërkoj që volumi i muzikës të ulet. Kam fëmijë të vegjël që nesër duhet të shkojnë në shkollë dhe nënën e moshuar të sëmurë. Festoni dhe gëzohuni, por ju lutem mendoni edhe për të tjerët”, shprehet qytetarja.
Ajo tregon se policia ka ndërhyrë tre herë gjatë natës, ndërsa muzika është ndalur vetëm në orën 23:30.
Mesazhi i saj është i qartë: gëzimet familjare janë të mirëpritura, por kujdesi për fqinjët dhe respektimi i ligjit për ndotjen akustike është po aq i rëndësishëm.