Donald Trump ka bërë një ndryshim të madh në qëndrimin e tij për luftën në Ukrainë. Në një postim të fundit në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan tha se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe NATO-s, është në pozitë të fitojë të gjithë territorin e saj në kufijtë e mëparshëm.
“Pas njohjes së plotë të situatës ushtarake dhe ekonomike mes Ukrainës dhe Rusisë, mendoj se Ukraina, me ndihmën e Europës dhe sidomos NATO-s, mund të rikthejë të gjitha territoret e saj. Me kohë, durim dhe mbështetje financiare, kjo është shumë e mundur. Pse jo?”, shkroi Trump.
Ai shtoi se Rusia ka mbi tre vite që “lufton pa një qëllim të qartë” në një luftë që, sipas tij, “duhej të kishte mbaruar për më pak se një javë”.
Trump e përshkroi Rusinë si një “tigër prej letre” dhe theksoi se Vladimir Putin dhe Moska ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike.
Në fund, Trump tha se SHBA do të vazhdojë furnizimin me armë për NATO-n, ndërsa i uroi “fat të mirë të gjithëve”.