Një vajzë që punon si hotess tek dera e një restoranti ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania përvojën e saj nga puna. Ajo tregon se kishte menduar se do të ishte një punë e lehtë dhe e këndshme, duke qenë tip që gjithmonë përshëndet njerëzit, nga roja i parkingut deri te kamarierët.
Por realiteti ka rezultuar krejt ndryshe. Përveç lodhjes nga të qëndruarit në këmbë për 8 orë, vajza thotë se shpesh has një sjellje injorante dhe indiferente, veçanërisht nga klientët femra. Ajo shton se përpiqet të përshëndesë me mirësjellje, por përgjigjet janë shpesh indiferente, pa asnjë fjalë e as shikim.
Ky mesazh është një thirrje për respekt dhe mirësjellje në mjediset e punës, dhe një kujtesë se edhe gjestet më të vogla mund të bëjnë një diferencë të madhe në ditën e dikujt.
Mesazhi i plotë nga vajza:
“Përshëndetje JOQ! Jam një vajzë që kam filluar punë në një bar-restorant dhe detyra ime është të rri tek dera, të pres njerëzit me buzëqeshje dhe t’i përshëndes. Mendova se do të ishte punë e bukur dhe e lehtë, duke menduar që vetë jam një tip që kur hyj në dyqane apo lokale, përshëndes gjithmon duke filluar nga roja i parkingut deri te kamarierët! Përveç lodhjes e të qëndruarit në këmbë për 8 orë, më vret shumë fakti që shoh një sjellje injorante dhe indiferente nga ana e gjinisë femërore; ti je tek dera, i flet, ato s’të heqin as syt, e për të folur s’bëhet fjalë. Aman o gra, një fjalë e mirë nuk ju kushton asgjë, pse kaq inat karshi një femre që ju pret me dashamirësi? Mund t’ju duket postim jo me vlerë, por për ne që punojmë këtë punë, na vret shumë injorimi në këtë mënyrë dhe doja të kuptoja nga ana e komentuesve: mos po kërkoj shumë? A jam gabim që po kërkoj të respektohem siç ju respektoj?”