Një tjetër tender me dyshime të forta për abuzim me fondet publike ka shpërthyer në Bashkinë Vau Dejës, nën drejtimin e kryebashkiakut Zef Shkreli.
Objekti i tenderit ishte “Përmirësim i infrastrukturës kryesisht në zona informale në proces legalizimi, në zona banimi me mungesë shërbimesh si ujësjellës e kanalizime”. Për këtë procedurë, fondi limit ishte 62.5 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 750 milionë lekë të vjetra me TVSH).

Por dokumentet e siguruara nga redaksia tregojnë se në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani – pikërisht ajo që shpallet fituese: “Ndertuesi 2014”, në pronësi të Sandër Shpatit dhe Gjokë Ograjës. Oferta e tyre prej 57.7 milionë lekësh pa TVSH (rreth 700 milionë lekë të vjetra me TVSH) është sa 92.5% e fondit limit, duke lënë hapësirë minimale uljeje, në kushte të një mungese totale konkurrence.

Fakti që nuk ka pasur asnjë ofertë tjetër ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën e tenderit dhe krijon dyshime të forta se bëhet fjalë për një procedurë të paracaktuar.
Kritikët thonë se ky rast i shtohet një vargu tenderash të dyshimtë ku fondet publike menaxhohen në mënyrë klienteliste, duke favorizuar kompani pranë pushtetit lokal. Dyshimet për korrupsion bien drejtpërdrejt mbi kryebashkiakun Shkreli, i cili sipas zërave në terren, ka kthyer tenderat e infrastrukturës në një burim të majmë për klientelën e tij politike.
