“Liri për Palestinën”, protestë kundër luftës në Gazë: Policia s’na lejoi të marshojmë paqësisht!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.09.2025, 20:04

Një protestë në mbështetje të Palestinës është mbajtur pasditen e sotme në ‘Sheshin Skënderbej’ në Tiranë. Dhjetëra qytetarë u mblodhën me flamuj palestinezë dhe pankarta kundër luftës në Rripin e Gazës, duke bërë thirrje për ndalimin e vrasjes së të pafajshmëve dhe për lirinë e Palestinës.

Por tubimi nuk ka kaluar pa tensione. Protestuesit tentuan të marshonin drejt Rrugës së Kavajës, por policia i bllokoi duke rrethuar çdo dalje të sheshit. Ky veprim shkaktoi indinjatë mes tyre, të cilët protestuan me thirrjet: “Liri Palestinës!”, “Të ju vijë turp!”, “Me kë jeni ju?”.

Një nga pjesëmarrësit u shpreh për JOQ Albania: “Nuk na lënë të bëjmë marshimin në mënyrë paqësore, nga çdo anë na bëjnë gardh”.

Situata në Gaza vijon të jetë dramatike. Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, numri i viktimave ka kaluar 65 mijë persona që prej nisjes së luftës, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur. Paralelisht, tensionet kanë prodhuar edhe zhvillime diplomatike, pasi Franca dhe disa shtete të tjera europiane e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet, duke rritur presionin ndërkombëtar për një zgjidhje me dy shtete.

Ndërkohë, protesta në mbështetje të Palestinës janë shtrirë kudo në Europë. Gjatë ditëve të fundit, mijëra qytetarë kanë marshuar në Itali, Francë, Suedi dhe vende të tjera, duke kërkuar ndërprerjen e sulmeve dhe ndihmë për popullin e Gaza-s.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit