Reperi i njohur kosovar, Betim Januzi, i njohur për publikun me emrin artistik Buta – po përballet me akuza të rënda për shitblerje të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë, ndërsa artisti ndodhet prej ditësh në paraburgim.
Sipas njoftimeve zyrtare, Buta u arrestua më 11 shtator 2025, gjatë një aksioni policor në Ferizaj. Një ditë më vonë, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së paraburgimit, e cila u miratua nga Gjykata Themelore dhe do të zgjasë deri më 10 tetor.
Kryeprokurori Burim Çerkini ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se ndaj reperit po zhvillohen hetimet e nevojshme, ndërsa zëdhënësja e Gjykatës, Gentiana Hoxha, sqaroi se seanca e parë gjyqësore është caktuar më 1 tetor 2025. Ajo shtoi se paraburgimi është konsideruar i domosdoshëm për të garantuar vijimin e procesit dhe për të shmangur çdo tentativë arratisjeje apo pengimi të hetimeve.
Prokuroria bën me dije se dyshimet ndaj Januzit lidhen me një ngjarje të ndodhur më 11 shtator, rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj. Në atë mbrëmje, ai u kap duke mbajtur në posedim kokainë dhe marihuanë, si dhe një armë pa leje.
Hetuesit dyshojnë se substancat nuk ishin vetëm për përdorim personal, por të destinuara për shitje apo shpërndarje – një rrethanë që e rëndon më tej pozitën ligjore të reperit kosovar.