Gjykata e Apelit në Selanik ka dhënë dënim ekstrem për tre shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës. Të tre të pandehurit, të moshës 42, 40 dhe 45 vjeç, mes tyre dy vëllezër, do të vuajnë dënim me burgim të përjetshëm.
Arrestimet u kryen në qershor të vitit të kaluar, kur policia greke zbuloi mbi 21 kilogramë kokainë gjatë një operacioni antidrogë. Një pjesë e konsiderueshme e drogës u gjet në një kompani qiraje automjetesh në Selanik, në pronësi të njërit prej vëllezërve, 40-vjeçarit. Hetimet çuan gjithashtu në sekuestrimin e një pistolete me karikator, 12 fishekësh dhe shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme.
Në sallën e gjyqit, dy vëllezërit mohuan çdo përfshirje në aktivitetet e paligjshme, duke u prezantuar si biznesmenë të ndershëm njëri si hotelier në vendlindje, tjetri si pronar i firmës së qirasë së makinave. Ndërkohë, i treti prej të akuzuarve pranoi se kishte poseduar dhe ruajtur drogën.
Pavarësisht mbrojtjes, trupi gjykues i shpalli fajtorë për një rast të qartë dhe të rëndë të trafikimit të lëndëve narkotike, pa marrë parasysh asnjë rrethanë lehtësuese.