OBSH, EMA dhe ekspertët Britanik hedhin poshtë pretendimet e Trump se paracetamoli lidhet me autizmin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.09.2025, 16:32

Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të jetë shkak për rritjen e rasteve të autizmit kanë shkaktuar reagime të forta nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Ekspertët Britanik kanë dalë qartë kundër këtyre pretendimeve, duke theksuar se nuk ka asnjë provë shkencore që i mbështet.

Qëndrimi i EMA:

Në një deklaratë zyrtare, EMA sqaroi se “nuk ka asnjë provë të re që do të ndryshonte rekomandimet aktuale për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë”. Agjencia këshilloi që paracetamoli të përdoret vetëm kur është i nevojshëm, në dozën më të ulët efektive dhe për kohëzgjatjen më të shkurtër të mundshme.

Steffen Thirstrup, Shef i Mjekësisë në EMA, u shpreh: “Paracetamoli mbetet një opsion i rëndësishëm për trajtimin e dhimbjes apo temperaturës tek gratë shtatzëna. Ne nuk kemi gjetur asnjë provë që marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë shkakton autizëm tek fëmijët.”

Reagimi i OBSH:

Nga ana e saj, OBSH përmes zëdhënësit Tarik Jasarevic, deklaroi se lidhja e pretenduar mes paracetamolit dhe autizmit “mbetet e paqëndrueshme dhe e pavërtetuar”. Organizata theksoi se rekomandimet për përdorimin e barnave gjatë shtatzënisë nuk kanë ndryshuar dhe se pacientët duhet të mbështeten tek këshillat e mjekëve dhe evidencat shkencore, jo tek deklaratat politike.

Ekspertët Britanik:

Zyrtarët dhe ekspertët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili së fundmi pohoi se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të lidhet me rritjen e rasteve të autizmit.

Duke folur të hënën, Trump u shpreh se ka pasur një “rritje meteorike” të rasteve me autizëm dhe sugjeroi se përdorimi i Tylenol-it, emri tregtar i paracetamolit në SHBA, nga gratë shtatzëna mund të jetë një nga faktorët shkaktarë.

Por këto pretendime u hodhën menjëherë poshtë nga autoritetet shëndetësore britanike. Sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting, reagoi prerë: “Sinqerisht, unë u besoj mjekëve më shumë se presidentit Trump për çështje mjekësore. Dua të jem shumë i qartë: nuk ka asnjë provë që të lidhë përdorimin e paracetamolit nga gratë shtatzëna me autizmin tek fëmijët. Aspak.”

Mesazhi i ekspertëve është i prerë, paracetamoli mbetet i sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë, dhe deri më sot nuk ekziston asnjë provë shkencore që ai ndikon në zhvillimin e autizmit tek fëmijët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit