SI SOT/ Në kujtim të Afrim Bunjakut, policit që me gjakun e tij vulosi mbrojtjen e atdheut

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.09.2025, 08:00

Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit në veri të Kosovës, ndodhi një sulm i armatosur terrorist nga një grup serbësh të armatosur, që synonin destabilizimin dhe aneksimin e pjesës veriore të vendit. Në këtë pritë të organizuar ndaj Policisë së Kosovës, humbi jetën rreshteri dhe komandanti i Stacionit të Policisë në Zveçan, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës duke mbrojtur kolegët dhe territorin e Republikës së Kosovës.

Pas këtij akti heroik, Afrim Bunjaku u shpall "Hero i Kosovës" nga Presidentja Vjosa Osmani, ndërsa varrimi i tij u bë një ditë më pas, më 25 shtator. Pas vdekjes, Afrim Bunjaku u shpall edhe Hero i Muajit Shtator nga ndjekësit e JOQ Albania. Shqiptarët e vlerësuan për guximin dhe sakrificën, duke e cilësuar si simbol të qëndresës dhe mbrojtjes së atdheut. Trofeu i heroit iu dorëzua familjes së të ndjerit gjatë një vizite ngushëllimi nga stafi i JOQ Albania.

Gjatë kësaj vizite, xhaxhai i Afrim Bunjakut tha për JOQ: "Afrimi gjithmonë ka qenë i gatshëm me mbrojt atdheun. Amanetin e atyre që kanë rënë kemi me çuar në vend. Ai ka qenë shumë i lumtur kur e caktuan në Mitrovicë. Ka shkuar me vullnet në punë, gjithmonë për të mbrojtur atdheun. Ka qenë 22 vite i veshur me uniformë të policisë ne mbrojtje të territorit dhe në mbrojte të popullit. Gjithmonë mbronte shokët, si në sulmin e regjistruar në 24 shtator 2023."

Afrim Bunjaku do të kujtohet përjetësisht si një hero i vërtetë i kombit, që me guxim, përkushtim dhe dashuri të pashoqe për atdheun, ra në altarin e lirisë duke mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës dhe nderin e uniformës që e veshi me krenari për 22 vite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit