Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë të shkurtër në Fox News, televizionin që përkrah presidentin amerikan Donald Trump, ka thënë se republikani parandaloi një përkeqësim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë plot lavde për udhëheqësit amerikanë e sidomos për Trumpin, Osmani është përgjigjur në pyetjen e moderatorit nëse presidenti amerikan parandaloi një konflikt me Serbinë.
Osmani nuk e konfirmoi se ishte konflikt, por e përshkroi si një përkeqësim të situatës. Teksa ka folur për historinë e Serbisë me Sllobodan Millosheviqin, Osmani ka thënë se edhe tani ka njerëz në Serbi që mendojnë për të kaluarën.
“Ka ende njerëz në udhëheqjen e Serbisë që dëshirojnë të na kthejnë në të kaluarën teksa ne dëshirojmë të shikojmë kah e ardhmja. Presidenti Trump na ka ndihmuar në përkrahje të paqes dhe shpëtimin e jetëve”, ka thënë Osmani teksa është pyetur nëse ka pasur përkeqësim në muajin qershor.
“Në të kaluarën kemi pasur përkeqësime në vitet e fundit, për shembull në shtatorin e vitit 2023 ishte një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës, ia arritëm ta ndalojmë atë me përkrahjen e aleatëve të NATO-s, por ka kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia. Në majin e kaluar kishte një tentim për përkeqësim, nëse mund ta quaj kështu, dhe kjo administratë ka bërë punë të mrekullueshme për parandalimin e këtij eskalimi”, ka thënë Osmani.