Ku po bëhen tre javë nga nisja zyrtare e sesionit të ri parlamentar, Partia Social Demokrate e Tom Doshit nuk ka asnjë përfaqësues në kuvend.
Pavarësisht se në zgjedhje fitoi tre mandate, Tom Doshi vendosi që të japë dorëheqjen nga mandati në 12 shtator 2025, duke mos u betuar si deputet dhe ia liruar rrugën për t’u bërë deputete pasuesve në listë. Të njëjtën zgjedhje bëri dhe Sabina Jorgo, e cila po ashtu dha dorëheqjen.
Këto vendime krijuan dy vakanca për qarkun Shkodër në Kuvend. Por që nga e premtja e 12 shtatorit dhe deri më sot, këto vakanca kanë mbetur pa plotësuar. Asnjë prej kandidatëve që janë pasues në listë nuk kanë pranuar që të marrin përsipër mandatet e fituara.
Sipas asaj që ka deklaruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani nuk kanë pranuar që të marrin mandatin 4 kandidatë, mes tyre dy nga listat e mbyllura dhe dy nga të hapurat, të gjitha gra. Referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor, kur një grua jep dorëheqjen, ajo zëvendësohet nga një grua tjetër, dhe e vetmja që nuk ka kthyer përgjigje është Meri Markiçi.
Kur të gjithë kandidatet zonja nuk pranojnë të mbajnë përgjegjësinë e mandatit, gjasat janë që ai t’i shkojë burrave më të votuar në listat e hapura, që në këtë rast janë Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku.
Kujtojmë se PSD siguroi tre mandate në zgjedhjet e 11 majit, dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Gjatë fushatës zgjedhore nuk munguan denoncimet për korrupsion dhe blerje votash nga kjo forcë politike.