Udhëtim me qentë në kabinën e avionit? Italia e bën realitet për kafshët mbi 10 kg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.09.2025, 15:07

Sot, më 23 shtator, në Itali u realizua fluturimi i parë që lejon qentë e mesëm dhe të mëdhenj, mbi 10 kilogramë, të udhëtojnë në kabinë së bashku me pronarët e tyre.

Lajmi u konfirmua nga Ministri i Transportit, Matteo Salvini, i cili disa ditë më parë njoftoi zbatimin e rregullave të reja të miratuara nga autoriteti i aviacionit civil, ENAC.

Fluturimi i parë me këto rregulla të reja u nis nga Milano drejt Romës. Deri më tani, qentë me peshë të lartë nuk lejoheshin në kabinë dhe transportoheshin vetëm në hambar. Po ashtu, shumë linja ajrore me kosto të ulët nuk lejonin asnjë kafshë në kabinë, përveç qenve udhërrëfyes.

Rregullat e reja përcaktojnë që qeni duhet të udhëtojë në një kafaz të veçantë transporti, i fiksuar në sedilje, dhe pesha e kafshës së bashku me kafazin nuk duhet të tejkalojë peshën e një pasagjeri mesatar. ITA Airways ishte një nga linjat e para që në vitin 2024 e rriti kufirin e lejuar nga 8 në 10 kilogramë, ndërsa rregulloret e reja tani hapin rrugën edhe për kafshët më të mëdha.

Ministri Salvini deklaroi se kjo masë nuk ka vetëm një dimension emocional, por edhe ekonomik e social. Ai nënvizoi se qeveria ka rritur gjithashtu gjobat për braktisjen e kafshëve dhe se po shqyrtohet leja për punonjësit e ministrisë që të marrin qentë në ambientet e punës, siç ka ndodhur tashmë në Senat.

Hapja e transportit ajror për kafshët shtëpiake përkon me një trend të ngjashëm edhe në sektorin hekurudhor, ku gjithnjë e më shumë udhëtime me qen janë lehtësuar, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Ky ndryshim pritet të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e pronarëve dhe kafshëve, si dhe në turizmin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit