Banorët e Sukthit po jetojnë mes plehrave dhe erës së ujërave të zeza, Sako asnjë masë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.09.2025, 12:32

Banorët e njësisë administrative Sukth në Bashkinë Durrës kanë ngritur shqetësimin për kushtet e vështira të jetesës, të cilat ndikojnë negativisht në përditshmërinë e tyre. Sipas tyre, zona përbëhet nga 10,000 banorë dhe rreth 400 nxënës, të cilët jetojnë në një mjedis të mbingarkuar me mbeturina. Ata denoncojnë përhapjen e mbeturinave në rrugë, të cilat nuk pastrohen në mënyrë të duhur, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.

Një nga shqetësimet kryesore është ndotja e vazhdueshme nga kanalizimi i papastër që ndodhet pranë fabrikës GIG, e cila është aktive për më shumë se 20 vjet. Banorët thonë se ky kanal i pambuluar dhe i pasistemuar është një burim i vazhdueshëm i ujërave të zeza, të cilat lëshojnë erë të padurueshme dhe përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Kjo situatë ka ndotur mjedisin, duke krijuar kushte të papërballueshme për ata që jetojnë në këtë zonë.

Përveç problemeve me mbeturinat dhe ndotjen, banorët e Sukthit janë të shqetësuar edhe për mungesën e një zgjidhjeje nga bahskia Durrës me kryebashkiake Emiriana Sakon, e cila deri tani ka dështuar të ndërmarrë veprime të mjaftueshme për të përmirësuar kushte jetese. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e mbeturinave, në mënyrë që të sigurohet një mjedis më i pastër dhe i shëndetshëm për të gjithë banorët dhe nxënësit e zonës.

Denoncimi i banorit:

Ju dërgoj këtë video nga njësia administrative Sukth e bashkisë Durrës. Këtu jemi në qendër, Në këtë zonë janë gjithsej 10 mijë banorë e 400 nxënës shkolle. Shikoni në çfarë kushtesh jetojmë. Shikoni plehrat në rrugë. Pranë kemi dhe fabrikën GIG që ka 20 vite që është i hapur dhe shikoni kanalin pranë fabrikës ku dalin të gjithë ujërat e zeza është i pambuluar i pasistemuar. Ne zgjohemi me erë mbeturinash, me erën e ujërave të zeza të këtij kanali.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit