Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur debat të fortë në botën mjekësore pas deklaratës së tij të fundit, ku paralajmëronte për një lidhje të mundshme mes përdorimit të Tylenol gjatë shtatzënisë dhe rritjes së rrezikut për autizëm.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë përkrah disa zyrtarëve të lartë të shëndetësisë amerikane, përfshirë Robert F. Kennedy Jr. dhe Dr. Mehmet Oz, Trump tha se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të njoftojë mjekët që të kufizojnë përshkrimin e këtij medikamenti për gratë shtatzëna, përveç rasteve kur është mjekësisht e domosdoshme.
Trump shkoi më tej, duke përmendur shembullin e Kubës, ku sipas tij, mungesa e paracetamolit lidhet me mungesën e rasteve me autizëm.
“Sipas një thashethemi dhe nuk e di nëse është i vërtetë, në Kubë nuk kanë paracetamol sepse nuk kanë mundësi ta blejnë. Epo, ata pothuajse nuk kanë fare raste autizmi,” deklaroi Trump, duke lëshuar një thirrje për shmangien e përdorimit të acetaminofenit, përbërësi aktiv i Tylenol gjatë shtatzënisë.
Megjithatë, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se shkenca mbi këtë temë është ende jo e qartë dhe se përdorimi i Tylenol është konsideruar për dekada si opsioni më i sigurt pa recetë për trajtimin e dhimbjeve dhe etheve tek gratë shtatzëna.
Mjekët theksojnë se ethet e patrajtuara përbëjnë rrezik serioz për fetusin dhe nënën, përfshirë rrezikun për abort spontan apo presion të lartë të gjakut. Për më tepër, deklarata të tilla përfshirë edhe kundërshtimin e vaksinave të fëmijërisë nga ana e Trump mund të kenë ndikime të rrezikshme në politikat e shëndetit publik.