Një numër gjithnjë e më i madh vendesh po njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës. Vetëm dje, Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Malta njoftuan nga OKB se e njohin Palestinën si shtet të pavarur, duke iu bashkuar rreth 151 shteteve anëtare të OKB-së që e kanë bërë tashmë këtë njohje.
Ndërkohë që lufta në Rripin e Gazës vazhdon prej afro dy vitesh, njohja diplomatike e Palestinës po shihet si hap simbolik dhe politik për të ushtruar presion ndërkombëtar mbi Izraelin. Vendet që nuk e njohin Palestinën përfshijnë SHBA-të, Izraelin, Gjermaninë, Japoninë, Italinë dhe Greqinë.
Sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, njohja nuk krijon një shtet, por tregon që shumica e botës e konsideron Palestinën si një entitet që plotëson kriteret për të qenë shtet: territor, popullsi dhe qeveri. Rusia, Kina, India dhe shumica e vendeve arabe, afrikane dhe të Amerikës Latine e kanë njohur shtetin e Palestinës që prej dekadash.
Konflikti në Gaza që shpërtheu më 7 tetor 2023 ka nxitur një valë të re mbështetjeje, me vende si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia që kanë bërë hapa konkretë për njohje zyrtare. Në anën tjetër, Izraeli dhe aleatët e tij e kundërshtojnë ashpër krijimin e një shteti palestinez, duke e parë si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Megjithatë, realiteti diplomatik po ndryshon, dhe gjithnjë e më shumë vende perëndimore po i bashkohen valës së njohjes, duke vendosur Palestinën në një pozitë më të fortë në skenën ndërkombëtare.