Një situatë shqetësuese është shënuar sot në qytetin e Orikumit, ku forcat e policisë janë paraqitur në biznesin e shtetases Emanuela Xhanej për të njoftuar ndërhyrjen IMT dhe IKMT-së për shembjen e ndërtesës së saj. Sipas denoncimit të bërë me video nga vetë qytetarja, aksioni është paralajmëruar nga policia, pa asnjë dokument zyrtar të bërë të ditur më parë.
Xhanej bën me dije se objekti në rrugën “Fejzo Gjomema”, Orikum ndodhet në proces legalizimi që prej vitit 2022 dhe për më tepër, ndaj Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë është hapur një proces gjyqësor që po shqyrtohet prej më shumë se pesë muajsh. Ajo thekson se as nga IKMT, as nga IMT nuk ka pasur asnjë njoftim për shembje, teksa kundërshtojnë ligjin për sa kohë çështja është në duart e gjykatës.
“Përshëndetje jam Emanuela Xhanej dhe ju flas nga Orikumi. Sot familja jonë është ngritur me makinat e policisë në oborrin e banesës sepse pres të vijë IKMT dhe IMT për të shembur ndërtesën jemi në proces gjyqësor me ashk qe prej 5 muaj. Ndërtesat janë në proces legalizimi që nga viti 2022 dhe ne nuk ka na ka ardhur asnjë paralajmërim as nga IMT dhe as nga IKMT vetëm erdhi makina e policisë për të na lajmëruar se po vjen IMT dhe IKMT për të shembur ndërtesat ne nuk kemi marrë asnjë paralajmërim asnjë nga institucionet në fjalë për shembje”, shprehet Emanuela në videon denoncuese.
Në vijim të kësaj situate, më datë 28 maj 2025, shtetasit Emanuela Xhanej dhe Ksenofon Bodo kanë depozituar një kërkesëpadi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë, duke kërkuar shfuqizimin e urdhrave nr. 2615 dhe nr. 2616, të lëshuara nga ASHK Vlorë, të cilat refuzojnë përfshirjen e ndërtesave të tyre në procesin e legalizimit.
Në padinë e tyre pretendohet se ASHK ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa kontroll në terren dhe duke përfshirë persona të tretë që nuk kanë lidhje me objektet në fjalë. Në kërkesën e depozituar në gjykatë, paditësit kërkojnë pezullimin e çdo veprimi për shembje, për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykata. Po ashtu, kërkohet përfshirja e një eksperti topografik.
Çështja tashmë është në duart e drejtësisë, ndërsa denoncuesja Xhanej kërkon që IKMT dhe IMT të respektojnë procedurat ligjore dhe të mos ndërhyjnë duke shembur biznesin në fjalë.