Sipas raportit të fundit të Gallup, 36% e punonjësve shqiptarë janë duke kërkuar mundësi të reja profesionale, duke e vendosur Shqipërinë në vendin e 8-të në Europë dhe Azinë Qendrore për këtë tregues. Ky nivel është më i ulët krahasuar me një vit më parë, kur 42% e shqiptarëve ishin në kërkim të mundësive të reja, por mbetet një shenjë e dukshme e pakënaqësisë në tregun e punës shqiptar. Dëshira për ndryshimin e punës lidhet me nivelin e stresit, mirëqenien e ulët dhe angazhimin e mangët në punë.
Të dhënat e Gallup sugjerojnë gjithashtu se punonjësit që kanë nivele të ulëta angazhimi dhe mbështetjeje janë më të predispozuar për të kërkuar alternativa jashtë vendit ose në kompani të tjera. Shqipëria është ndër shtetet që ka përjetuar një rritje të këtij fenomeni, duke u përballur me sfidën e humbjes së talentit dhe kërkesës për kushte pune më të mira. Analistët e Gallup vlerësojnë se ky trend mund të ketë ndikim negativ në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut të punës në vitet e ardhshme.