“Ju bëfshin mirë mallkimet e njerëzve”, qytetarja shpërthen ndaj atyre që hedhin fishekzjarrë në mesnatë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.09.2025, 01:02

Fenomeni i hedhjes së fishekzjarrëve në mesnatë vijon të jetë një shqetësim i madh për qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera, pavarësisht se me ligj kjo gjë është e ndaluar. Qytetarë të shumtë janë ankuar se nuk e kanë për detyrë të durojnë këtë zhurmë, që shpesh u prish gjumin fëmijëve të vegjël, të sëmurëve apo edhe atyre që duhet të zgjohen herët për punë.

Së fundmi, një qytetare nga zona e Astirit i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një reagim të fortë ndaj atyre që vazhdojnë ta praktikojnë këtë zakon të mesnatës.

Ajo shkruan:

“Ju bëfshin mirë mallkimet e njerëzve që ju zgjoni fëmijët të trembur nga gjumi apo të tjerë që lëngojnë të sëmurë në shtrat. A janë normal këta? Thuajse çdo natë kemi këto shpërthime si në luftë. Kemi beba, kemi fëmijë të vegjël, apo të tjerë që mund të jenë duke lënguar në shtrat. Bejeni problem ju lutem! Dashtë Zoti ndërgjegjësohen, se çfarë mallkimesh i kanë, e sigurt.”

Ky fenomen është raportuar dhjetëra herë në redaksinë tonë, por deri më tani autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete. Pavarësisht ankesave të shumta dhe faktit që fishekzjarrët e tillë janë të ndaluar ligjërisht, situata vijon e pandalur, duke e kthyer qetësinë e mesnatës në një 'breshëri shpërthimesh' si në kohë lufte.

Qytetarët kërkojnë që autoritetet të marrin seriozisht këtë problem, pasi nuk mund të lejohet që gjumi dhe qetësia e komuniteteve të cenohet çdo natë nga pak të papërgjegjshëm që e konsiderojnë argëtim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit