Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpallur zyrtarisht njohjen e shtetit të Palestinës, duke iu bashkuar disa vendeve perëndimore që kanë marrë të njëjtin vendim, vetëm pak ditë para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
“Franca sot njeh shtetin e Palestinës”, deklaroi Macron para liderëve botërorë, ndërsa delegacioni palestinez e priti këtë fjalim me duartrokitje të fuqishme. Ai theksoi se qëndrimi i tij synon të mbështesë paqen mes popullit izraelit dhe atij palestinez.
Autoriteti Palestinez e quajti këtë vendim një hap “historik dhe guximtar”, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së, duke nënvizuar se ai i shërben përpjekjeve për realizimin e zgjidhjes me dy shtete.
Vetëm një ditë më parë, edhe Australia, Britania, Kanadaja dhe Portugalia shpallën njohjen e Palestinës, duke rritur presionin mbi Izraelin në një kohë kur ofensiva në Gaza ka shkaktuar mbi 65 mijë viktima palestineze dhe ka kthyer territorin në rrënoja.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, e kanë kundërshtuar këtë hap. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se njohja do të forcojë Hamasin dhe do ta bëjë edhe më të vështirë përfundimin e luftës.
Çështja palestineze pritet të dominojë axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku do të marrin pjesë mbi 140 liderë botërorë. Megjithatë, presidentit palestinez Mahmoud Abbas i është refuzuar viza nga SHBA, ndaj nuk do të jetë i pranishëm.