Stuhia më e fuqishme e vitit godet Filipinet, në alarm Kina, Hong Kongu dhe Tajvani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.09.2025, 20:33

Tajfuni Ragasa, i njohur në Filipine si Nando, ka zbarkuar me fuqi shkatërruese në veri të vendit aziatik, duke sjellë erëra që arrijnë deri në 267 km/h (ekuivalente me një uragan të kategorisë 5) dhe reshje të dendura shiu.

Sipas agjencisë meteorologjike filipinase PAGASA, stuhia preku fillimisht ishullin Panuitan, në provincën veriore të Cagayan, duke detyruar mbi 10 mijë persona të evakuohen nga zonat më të rrezikuara. Në disa provinca është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa spitale dhe shërbimet emergjente janë vendosur në gatishmëri të plotë. Presidenti Ferdinand Marcos Jr. ka urdhëruar pezullimin e punës dhe mësimit në Metro Manila dhe në 29 provinca të Luzonit.

Pamjet e shpërndara nga autoritetet tregojnë dallgë të fuqishme, përmbytje në rrugë dhe erëra të furishme që rrëzojnë pemë e shkatërrojnë çati banesash. Në ishujt Babuyan dhe Batanes parashikohet rrezik i lartë për cunamë dhe dallgë deri në 3 metra.

Pas Filipineve, stuhia pritet të godasë zonat e tjera të Azisë Lindore. Autoritetet në Hong Kong, Tajvan dhe Guangdong të Kinës kanë shpallur gjendje alarmi.

Në Hong Kong, janë mbyllur shkollat, janë anuluar mbi 500 fluturime dhe është pezulluar funksionimi i urës gjigante Hong Kong–Makau–Zhuhai.

Në Tajvan, është shpallur paralajmërim detar e tokësor, janë mbyllur shërbime tragetesh dhe disa zona turistike, ndërsa banorë në Hualien janë vënë në gatishmëri për evakuim.

Në Kinë, vetëm në qytetin Shenzhen parashikohet evakuimi i 400 mijë banorëve, ndërsa autoritetet hekurudhore kanë njoftuar pezullimin gradual të trenave në provincën Guangdong.

Stuhia Ragasa pritet të kalojë pranë jugut të Tajvanit dhe më pas të afrohet në brigjet e Hong Kongut të mërkurën, me erëra që mund të arrijnë deri në 250 km/h. Autoritetet e Hong Kongut paralajmërojnë se kushtet e detit mund të jenë të ngjashme me ato të tajfunit Hato (2017) dhe Mangkhut (2018), të cilët shkaktuan dhjetëra viktima dhe dëme të panumërta materiale.

Filipinet preken çdo vit nga tajfune të shumta. Vitin e kaluar, vendi u godit nga katër tajfune brenda më pak se dy javësh, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme dhe duke lënë mijëra familje pa strehë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit