Një tjetër aferë me paratë publike po del në dritë. Hangari i helikopterëve në Farkë, i reklamuar me bujë dhe i përuruar disa herë nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka përfituar edhe një shtesë kontrate prej 500 mijë eurosh.

Bëhet fjalë për një investim të nisur vite më parë, i cili është promovuar vazhdimisht nga qeveria si një arritje madhore për Forcat e Armatosura. Vetëm pak muaj më parë, në janar 2025, Vengu vizitoi këtë objekt së bashku me komandantin e Forcës Ajrore gjeneral brigade Ferdinant Dimo dhe kolonelin Ervin Buzi, duke deklaruar se shumë shpejt helikopterët Black Hawk do të kishin “shtëpinë e tyre moderne”. Madje, vetë ministria u shpreh se Dita e Aviacionit më 24 prill do të festohej në mjediset e hangarit të ri.
Por, pas përurimeve dhe festimeve, vjen surpriza: Komanda e Forcave Ajrore ka hapur procedurën e re me objekt “modifikim kontrate ndërtim hangari për helikopterë në Bazën Ajrore Farkë”. Fondi limit i kësaj shtese është plot 47,760,458 lekë, ose rreth 500 mijë euro të tjera.

Dokumentet zyrtare tregojnë se tenderin e vitit 2023 e fituan kompanitë “AGRI Construction” dhe “ALKO-IMPEX General Construction”, pas skualifikimit të 8 operatorëve të tjerë nga gara. Shuma e parë e kontratës shkonte në afro 5 milionë euro, ndërsa tani kostoja totale i afrohet 5.5 milionë eurove.
Pyetja që lind është e thjeshtë: Nëse hangari ishte përuruar, i reklamuar dhe i shpallur gati për përdorim, përse duhen edhe 500 mijë euro të tjera? Pse duhet shpërblyer me “bakshish” kontraktorët për një investim që qeveria e shiti si të mbaruar?
Ky është një tjetër shembull i qartë i zhvatjes së buxhetit të shtetit, ku në vend që të kursehen paratë e shqiptarëve, projektet kthehen në puse pa fund, ku shtesat e kontratave nuk kanë të mbaruar.
