Nuk janë emigrantë që vijnë nga Siria, por nxënësit e shkollës “Hasan Koçi” në qytetin e Durrësit.
Ky furgon portokalli shërben për transportin e fëmijëve, nga shkolla në shtëpi. Në pamjet duket furgoni i parkuar pranë koshave të mbeturinave në afërsi të shkollës, ku njëra prej dyerve të pasme është e hapur, dhe një grup nxënësish me çanta në shpinë hipin njëri pas tjetrit.
Një qytetar që ishte i pranishëm në këtë moment mbeti i habitur nga kjo ngjarje, duke ngritur dyshime për sigurinë e fëmijëve.
“Përshëndetje JOQ, ja si bëhet transporti i nxënësve bë Durrës te shkolla Hasan Koçi. Zot na ruaj nga ndonjë tragjedi,” shkruan ai në mesazhin për JOQ.
Furgoni, i ngjashëm me ato që përdoren zakonisht për transport mallrash apo bagëtish, nuk mban asnjë shenjë dalluese që të tregojë se shërben si mjet shkolle. Fëmijët udhëtojnë pa asnjë masë sigurie, të ngjeshur në pjesën e pasme të tij, duke rrezikuar seriozisht jetën.
Ky episod ngre pikëpyetje të forta mbi standardet e transportit të nxënësve dhe masat e sigurisë që institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë për fëmijët.