Sonte, në teatrin legjendar Chatelet të Parisit, futbolli do të marrë frymën e artit. Netët e mëdha kanë adresë, dhe këtë herë është kryeqyteti francez që pret një nga ceremonitë më të pritura të vitit: ndarja e Topit të Artë 2025.
Të gjithë reflektorët janë mbi Ousmane Dembélé. Fantazisti i Paris Saint-Germain shihet si favoriti absolut për të kurorëzuar një sezon historik, ku me magjinë e tij ishte pjesë kyçe e katërfishtëshes së lavdishme të parizienëve, duke thyer mallkimin e gjatë të Ligës së Kampionëve. Një detaj që i jep më shumë dramë mbrëmjes: Dembélé mungon në fushë për shkak dëmtimi dhe nuk është pjesë e skuadrës së Luis Enrique-s në duel me Marsejën, i riplanifikuar pikërisht për të njëjtën natë.
Por Parisi nuk do të flasë vetëm për Dembélén. Lamine Yamal, adoleshenti i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle, shihet si rivali më i madh me paraqitjet e tij spektakolare, ndërsa Harry Kane pas titullit të Bundesligës me Bayern dhe një sezoni me statistika të frikshme mbetet një tjetër kandidat serioz që mund të përmbysë pritshmëritë. Gara plotësohet nga emra si Vitinha, Raphinha, Mohamed Salah apo Cole Palmer, duke e bërë këtë edicion një nga më të hapurit e viteve të fundit.
Topi i Artë për Femra: Mbrëmja do të kurorëzojë edhe futbollisten më të mirë të globit. Pesë lojtaret angleze, kampione të Europës Hannah Hampton, Lucy Bronze, Chloe Kelly, Alessia Russo dhe Leah Williamson janë ndër favoritët, por kontingjenti spanjoll me Aitana Bonmatí dhe Alexia Putellas nuk ka ndërmend ta dorëzojë fronin lehtë.
Trofeu Yashin: Edhe gardianët kanë skenën e tyre. Portierët e Premier League David Raya, Alisson Becker, Matz Sels dhe Emi Martínez masin forcat me emra të mëdhenj si Courtois, Oblak, Sommer, Donnarumma apo Bounou. Tek femrat, Hampton, Cata Coll dhe Ann-Katrin Berger janë mes kandidateve për trofeun e portieres më të mirë.
Trajneri i Vitit: Në bankinë gjithashtu gara është e fortë: Arne Slot me Liverpoolin e rilindur, Enzo Maresca që kërkon të ringjallë Chelsean, Luis Enrique pas sezonit të artë me PSG-në, Hansi Flick me tripletën e Barcelonës dhe Antonio Conte që ktheu Napolin në majë me Scudetton.
Lista e plotë e kandidatëve për Topin e Artë 2025:
Jude Bellingham (Angli, Real Madrid)
Ousmane Dembele (Francë, Paris Saint-Germain)
Gianluigi Donnarumma (Itali, Paris Saint-Germain/Manchester City)
Desire Doue (Francë, Paris Saint-Germain)
Denzel Dumfries (Holandë, Inter)
Serhou Guirassy (Guine, Borussia Dortmund)
Viktor Gyokeres (Suedi, Sporting CP/Arsenal)
Erling Haaland (Norvegji, Manchester City)
Achraf Hakimi (Marok, Paris Saint-Germain)
Harry Kane (Angli, Bayern)
Khvicha Kvaratskhelia (Gjeorgji, Napoli/Paris Saint-Germain)
Robert Lewandowski (Poloni, Barcelonë)
Alexis Mac Allister (Argjentinë, Liverpool)
Lautaro Martínez (Argjentinë, Inter)
Kylian Mbappe (Francë, Real Madrid)
Scott McTominay (Skoci, Napoli)
Nuno Mendes (Portugali, Paris Saint-Germain)
Joao Neves (Portugali, Paris Saint-Germain)
Michael Olise (Francë, Bayern)
Cole Palmer (Angli, Chelsea)
Pedri (Spanjë, Barcelonë)
Raphinha (Brazil, Barcelonë)
Declan Rice (Angli, Arsenal)
Fabian Ruiz (Spanja, Paris Saint-Germain)
Mohamed Salah (Egjipt, Liverpool)
Virgil van Dijk (Holandë, Liverpool)
Vinicius Jr (Brazil, Real Madrid)
Vitinha (Portugali, Paris Saint-Germain)
Florian Wirtz (Gjermani, Leverkusen/Liverpool)
Lamine Yamal (Spanjë, Barcelona)