Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga banorët e zonës së Freskut. Banorët e zonës së Freskut, pas shkollës së mesme në Tiranë, po përballen me një problem të vazhdueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm.
Prej më shumë se një jave, ata raportojnë se uji nuk po arrin në shtëpitë e tyre në mënyrë të rregullt. Siç shihet uji derdhet kot në rrugë, ndërsa te çezmat e banorëve shkon vetëm në orare të caktuara ose fare. Kjo ka shkaktuar shqetësime për qytetarët.
“Përshëndetje, po ju dërgoj këtë video nga zona e Freskut, Tiranë. Këtu ndodhemi pas shkollës së mesme. Ka një javë ose më shumë që uji shkon kot, ndërkohë nëpër shtëpitë tona vjen me orar ose s'kemi fare”, thuhet në denoncim.
Sipas banorëve, kjo situatë po krijon problematikë dhe shqetësime në përditshmëri, duke ndikuar jo vetëm në higjienën, por dhe në përdorimin e ujit për nevoja të tjera. Ata kanë kërkuar ndërhyrje nga UKT për të zgjidhur këtë problem.
Deri tani Ujësjellës Kanalizime Tiranë me drejtues Skerdi Drenova nuk ka marrë asnjë masë për të zgjidhur problemin në fjalë të banorëve të Freskut të cilët gjatë gjithë verës por dhe tani ose kanë ujë me orar ose nuk kanë fare.