Bllokimi i specave me pesticide në Slloveni godet bujqët në Lushnje, prodhimi nuk shitet

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 22.09.2025, 14:37

Bujqësia në vendin tonë po përballet çdo ditë e më shumë me rënie, duke u kthyer në një ndër sektorët më problematikë për ekonominë.

Fermerët përveç mungesës së mbështetjes nga institucionet shtetërore, vuajnë edhe nga pamundësia për të siguruar treg për produktet e tyre. Situata është rënduar veçanërisht pas disa skandaleve me produkte të eksportuara, ku është konstatuar prania e kimikateve të palejuara nga BE.

Pasojat e këtyre skandaleve i ka ndjerë nga afër edhe fermeri Ylli Kiçi nga fshati Sulzotaj i Lushnjes, i cili prej pesë vitesh merret me kultivimin e specave. Ai ka mbjellë këtë vit 13 dynym sera me speca, por shitjet kanë rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.

Ai tregon se kjo rënie lidhet me bllokimin e disa ngarkesave me speca në Slloveni për shkak të kimikateve, gjë që ka dëmtuar reputacionin e prodhimeve shqiptare në tregjet e huaja.

Tani kam 13 dynym sera me speca. Prej pesë vitesh eksportoj në të gjithë botën, por këtë vit kam mbetur stok. Një fermer në Fier spërkati me kimikate të palejueshme dhe sot jemi në këtë gjendje. Sot kam bërë vetëm shitjen e parë, ndërkohë që deri tani duhet të kisha shitur tre herë”, tha ai në një intervistë për TCH.

Fermerët theksojnë se problemi nis që në farmacitë bujqësore, të cilat shpesh tregtojnë pesticide që nuk janë të lejuara nga Bashkimi Evropian. Ata kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të marrë masa konkrete, të informojë fermerët mbi përdorimin e pesticideve të lejueshme dhe të shtojë kontrollet mbi tregtimin e kimikateve.

Zbatimi i këtyre masave sipas tyre, do të ndihmonte në ndalimin e përdorimit të pesticideve të ndaluara dhe do të siguronte një proces më të shëndetshëm që nga prodhimi deri tek tregtimi i produkteve bujqësore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit