Në një rrëfim të hapur në një studio televizive, golashënuesja më e mirë e Vllaznisë dhe fituese e “Topit të Artë”, Megi Doçi, ka zbuluar anën e padukshme të futbollit shqiptar, harresën dhe shpërfilljen që shoqëron edhe më të mirët e fushës.
Pavarësisht lavdeve, titujve dhe golave që kanë bërë krenarë tifozët kuqeblu, Doçi ka treguar se pagesa e saj vjetore nuk shkon më shumë se 1 milion lekë. Një shifër e cila, siç shprehet vetë ajo, është larg së qeni motivuese për dikë që ka dhënë gjithçka për ngjyrat e klubit dhe për futbollin shqiptar në tërësi.
Doçi nuk është e vetme në këtë realitet. Ajo solli në vëmendje edhe shembullin e sulmuesit Bekim Balaj, i cili, ndonëse është shpallur golashënuesi më i mirë i Superiores në futbollin për meshkuj, përfitonte shuma që, sipas saj, “lënë për të dëshiruar”.
Në një kohë kur në Europë sulmueset dhe sulmuesit kryesorë janë milionerë, në Shqipëri, kampionët e fushës duhet të kënaqen me paga që mezi mbulojnë shpenzimet e jetesës.
Ky rrëfim i Megi Doçit nuk është thjesht një ankesë personale. Është një thirrje alarmi për institucionet, klubet dhe të gjithë ata që e kanë në dorë fatin e sportit, nëse duam të kemi futboll cilësor, duhet të fillojmë të vlerësojmë realisht ata që e bëjnë këtë sport të gjallë, golashënuesit.