Tirana po mbushet çdo ditë e më shumë me kulla të reja, por numri i banorëve po rritet me ritme minimale. Sipas INSTAT, në 1 janar 2025 popullsia e qarkut të Tiranës ishte 759,981 banorë, vetëm 1,766 më shumë se një vit më parë. Ky shtim është shumë i ulët krahasuar me vitin 2015, kur kryeqyteti regjistronte afro 18 mijë banorë të rinj në vit.
Ndërkohë që popullsia po shfaq një ngadalësim të dukshëm, ndërtimet kanë njohur një bum rekord, shkruan Monitor. Vetëm në vitin 2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Tiranë arriti mbi 1.9 milionë metra katrorë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë që prej vitit 2005.
Edhe gjatë muajve të parë të 2025-ës, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka miratuar projekte për kulla dhe komplekse të tjera, të cilat ende nuk janë reflektuar në statistikat zyrtare, pasi ato përfshijnë vetëm lejet e dhëna nga Bashkia e Tiranës për ndërtime të ulëta.
Pamja e qytetit po ndryshon ndjeshëm: periferitë po mbushen me komplekse vilash, ndërsa në qendër po ngrihen kulla shumëkatëshe. Megjithatë, ky zhvillim urban nuk po ecën paralelisht me rritjen e popullsisë. Përkundrazi, shumë qytetarë po largohen drejt vendeve të tjera për shkak të kostove të larta të jetesës, mungesës së perspektivës dhe kërkimit për arsim më cilësor. Veçanërisht emigrimi i të rinjve dhe profesionistëve të arsimuar është bërë një fenomen i theksuar.
Në rang kombëtar, Shqipëria ka humbur mbi 27 mijë banorë vetëm gjatë vitit 2024. Qarqe si Elbasani, Korça, Lezha dhe Dibra kanë shënuar rënie të ndjeshme të popullsisë, ndërsa Vlora ka zbritur nga 145 mijë në rreth 144 mijë banorë. Humbja më e madhe është regjistruar në Elbasan, ku popullsia ra nga mbi 231 mijë në 226 mijë, ndjekur nga Korça me mbi 3 mijë banorë më pak. Kukësi dhe Gjirokastra po ashtu tregojnë prirje tkurrjeje.
Në këtë panoramë, Tirana është i vetmi qark që shfaq një rritje, por mjaft të vogël, duke e lënë numrin e banorëve pothuajse të pandryshuar. Ekspertët e pasurive të paluajtshme theksojnë se një pjesë e kërkesës për banesa në kryeqytet po vjen nga emigrantët dhe të huajt, të cilët i shohin apartamentet në Tiranë si investim afatgjatë.