Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, Këshilli Bashkiak i Vlorës me urdhër të Bledi Çuçit ka vendosur të emërojë Elis Halilin. Vlonjatët nga shiu, me kryetarin e ri kanë rënë në breshër.
Po kush është Elis Halili?
Ky i fundit është inxhinieri i firmës "Fusha shpk" i Shkëlqim Fushës, e cila është tashmë përgjegjës për një sërë realizimesh që kanë bërë Vlorën të duket më e betonizuar dhe më e ngjeshur. Ai është i njohur për disa projekte në jug të Shqipërisë, përfshirë ndërtimin e Lungomares, ngushtimin e Bulevardit dhe realizimin e tunelit të betonit pranë muzeut të Pavarësisë.
Halili ka qenë gjithashtu përgjegjës për disa nga projektet më kontroversiale të qytetit, si ngushtimi i rrugëve dhe devijimet për interesat e biznesit, të cilat kanë shkaktuar shqetësime për ndikimin në trafikun dhe ndotjen e mjedisit. Halili është njeriu përgjegjës i disa projekteve që e kanë bërë Vlorën si një shesh ndërtimi se sa një qytet i jetueshëm bregdetar.
Së fundmi, ka pasur kritika të shumta për ndotjen e Vlorës gjatë muajve të verës, si dhe për ndikimin e projekteve të betonizimit në pamjen dhe funksionalitetin e qytetit. Tani, nëse vlonjatët mendojnë se do të shohim një ndryshim, ndoshta do të duhet të presin deri sa të shohim se si Halili do t’i përshtatë planet e tij për një qytet që tashmë është pothuajse i plotë me beton dhe asfalt.
Me një histori si kjo, është e vështirë të besosh se me Halilin në krye të bashkisë do të ketë më shumë hapësira për ajër të pastër apo ndonjë shteg të gjelbër në Vlorë.