Grupet kriminale nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë arritur të krijojnë një dominim të fuqishëm në tregtinë ndërkombëtare të kokainës, duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhimi në Amerikën Latine deri në shpërndarjen në rrugët e Evropës. Sipas Fatona Mejdini, drejtoreshë e departamentit për Evropën Juglindore në Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar, bandat ballkanike filluan të konsolidonin fuqinë e tyre gjatë periudhës së krizave dhe luftërave në Ballkan, duke shfrytëzuar edhe lidhjet me organizata mafioze si ‘Ndrangheta italiane. Ato arritën të mbushin hapësirat që krijuan ndryshimet gjeopolitike dhe shpërbërja e FARC-ut, duke i shndërruar grupet ballkanike në furnizues të kokainës për tregun evropian.
Struktura e bandave ballkanike është fleksibile dhe ndryshe nga organizatat kriminale të tjera, ato bashkëpunojnë në mënyrë të kufizuar, sipas gazetarit Marko Vesoviç. Shqiptarët ofrojnë logjistikën, serbët mbështesin financiarisht, dhe malazezët ofrojnë anëtarët që janë të specializuar në transportin detar të drogës. Megjithatë, këto grupe mbeten të pavarura, dhe bashkëpunimi i ngushtë është i kufizuar, duke bërë të pamundur formimin e një karteli të fortë dhe të qëndrueshëm në rajon. Kjo ka krijuar një rrjet global, ku ndarja e përgjegjësive dhe resurseve është esenca e suksesit të këtij tregu kriminal.
Ekspertët janë të një mendimi se, për të luftuar këtë fenomen, është e domosdoshme një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit. Me fuqinë e bandave që kalon çdo kufi kombëtar dhe me pasuritë që ata disponojnë, autoritetet lokale shpesh janë të paafta të ndjekin dhe ndëshkojnë individët e përfshirë. Sipas Fatona Mejdini, ndërsa autoritetet po bëjnë përpjekje të mëdha për të luftuar krimin, vetë natyra globale e këtyre grupeve kërkon një koordinim më të thellë mes shteteve dhe forcave të rendit për të pasur sukses në ndalimin e këtij fenomeni.