Trafiku i rënduar në rrugët e Tiranës nuk i ndaloi këta dy shoferë që të shfrenojnë adrenalinën e tyre duke bërë gara me njëri-tjetrin. Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “3-shi”, nga shinat e trenit deri te “Kthesa e Kamzës”, pranë terminalit të autobusëve.
Në video e siguruar nga “JOQ” shihen dy automjete, një Audi dhe një BMW. Në tentativën e shoferit të Audit për të kaluar në korsinë e shpejtësisë, mjetet për pak u përplasën, por fatmirësisht përplasja u shmang. Pak sekonda më vonë, shoferët ndezin bllokazhin dhe nisin një garë të vërtetë në rrugën plot gropa të zonës. Ata ndalojnë në semafor, sikur të ishte vija e “startit”, dhe më pas vazhdojnë garën deri te rrethrrotullimi.
Edhe pse gara nuk solli pasoja, manovrat e tilla përbëjnë rrezik serioz për sigurinë, veçanërisht në rrugë të banuara ku lëvizin jo vetëm makina, por edhe këmbësorë.
Ngjarje të tilla tregojnë nevojën urgjente për shtimin e kontrolleve nga Policia e Shtetit, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e situatave që mund të kthehen në tragjedi.