Një qytetare nga Tirana ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një problem që, sipas saj, ka mbetur pa zgjidhje prej më shumë se 20 vitesh në një lagje të Astirit.
Në videon e dërguar, shihet një gropë e madhe e cila, sa herë bie shi, mbushet me ujë dhe nuk thahet për muaj të tërë. Sipas denoncueses, kjo gropë është kthyer në burim infeksionesh, pasi ka zënë krimba dhe fëmijët shpesh afrohen aty, duke rrezikuar të marrin sëmundje.
Ajo shprehet e indinjuar se banorët janë ankuar në institucione të ndryshme, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje, ndërsa era e rëndë dhe pamja e zonës po e bëjnë të padurueshme jetën për banorët.
Mesazhi i qytetares:
“Përshëndetje JOQ. Dua të denoncoj një rast në një lagje në Astir. Ndodhet një gropë që sa herë bie shi ajo mbushet me ujë dhe nuk zbrazet për muaj të tërë. Vjen erë kanalizimi, këtu jetojnë njerëz, jo bretkosa. Gropa ka 20 vite aty dhe është burim infeksionesh, vijnë fëmijët fusin duart dhe infektohen. Kjo është Bashkia Tiranë që kursen 10 thasë me beton. Një pjesë e sheshit është e pashtruar dhe sa herë bie shi ajo mbushet plot me ujë. Ka zënë krimba, kalamajtë do marrin ndonjë infeksion. Jemi ankuar gjithandej dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje.”