Pesë shqiptarë, katër burra dhe një grua të moshës nga 24 deri në 37 vjeç, janë arrestuar në Spanjë si pjesë e një organizate kriminale që kishte kthyer një banesë në plantacion të marijuanës. Mediat spanjolle raportojnë se tre prej të arrestuarve akuzohen për kultivimin dhe prodhimin e drogës, si dhe për mashtrim me energji elektrike, ndërsa dy të tjerë akuzohen për falsifikim dokumentesh.
Hetimi ka nisur pas ankesave të banorëve të zonës për erën e fortë të marihuanës dhe lëvizjet e dyshimta në lagje. Garda Civile ka verifikuar se brenda banesës ishin vendosur plantacione kanabisi dhe pajisje për kultivimin e tij. Dy nga të arrestuarit ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e plantacionit, ndërsa të tjerët merreshin me shpërndarjen dhe shitjen e drogës.
Operacioni është zhvilluar nga njësitë speciale të Gardës Civile në Granadë, me mbështetje nga Shërbimi i Qenve dhe Ekipi Pegaso. Policia ka konfirmuar se kjo banesë, e cila funksiononte si një "shtëpi bari", ishte bërë një qendër e vazhdueshme e prodhimit dhe shpërndarjes së marijuanës, duke furnizuar tregun ilegal të drogës në zonë.