Një denoncim ka mbërritur në redaksinë tonë nga një banor i zonës së Tomorit në Berat, i cili ka raportuar për një situatë alarmante me rrjetin elektrik. Sipas denoncuesit, kabllot e energjisë janë vendosur në mënyrë të papërgjegjshme mbi degët e pemëve, duke përbërë një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e banorëve. Këta të fundit kanë shprehur shqetësimin e tyre për mundësinë e aksidenteve të rënda.
“Shikoni OSHEE-në e Beratit, shikojeni çfarë bëhet këtu. I gjithë rrjeti elektrik nëpër pemë. Këta paguajnë elektricistë për të marrë jetë njerëzish. Ndodhemi në Tomor të Beratit”, shprehet banori. Ai thotë se kjo është një problematikë që kërkon ndërhyrje urgjente për të parandaluar çdo tragjedi. Mungesa e veprimit dhe e një inspektimi të rrjetit nga ana e OSHEE kanë krijuar rrezik për jetën e banorëve.
Urgjentisht kërkohet që të ndërmerren masa të menjëhershme për rregullimin dhe pastrimin e rrjetit elektrik, duke larguar kabllot nga pemët dhe duke siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë ata që jetojnë dhe kalojnë në këtë zonë. Banorët kërkojnë që OSHEE dhe bashkia Berat të marrin menjëherë përgjegjësi dhe të sigurojnë që ky rrjet të bëhet më i sigurt dhe i qëndrueshëm për banorët e zonës së Tomorit.