“Adoleshentët qëlluan të moshuarit me fruta dhe perime, i filmonin dhe më pas largoheshin me vrap”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.09.2025, 21:36

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare e Elbasanit, e cila tregon se një grup adoleshentësh në parkun “Rinia” ka ushtruar sjellje të papranueshme dhe dhunë ndaj të moshuarve. Sipas denoncimit, të rinjtë kanë qëlluar me fruta dhe perime persona të moshës së tretë, ndërsa një prej të moshuarve u turpërua kur i vendosën një kove në kokë dhe e filmuan, për t’u larguar më pas me vrap.

Qytetarja shprehet për JOQ Albania se ka filmuar pjesën përfundimtare të ngjarjes dhe dëshiron që grupi të identifikohet e të marrë përgjegjësi:

“Sot këta adoleshentë vendosën të kalojnë pasditen duke qëlluar kryesisht moshat e treta me fruta dhe perime në parkun Rinia. Një zotërie i vendosën një kove në kokë, e filmuan dhe u larguan me shpejtësi. Nëse sot bëjnë këto akte ndaj të moshuarve, nesër këto fëmijë mund të jenë më të rrezikshëm, vendosa t’i filmoj dhe t’i nxjerr në dritë.”

Ngjarje të tilla shqetësojnë komunitetin: qytetarët kërkojnë siguri në hapësirat publike dhe përgjegjësi nga prindërit dhe institucionet që mbikëqyrin rininë. Denoncimi vë në pah nevojën për ndërhyrje të shpejtë, jo vetëm për ndëshkimin e sjelljeve vandalizuese, por edhe për mbrojtjen dhe ndihmën ndaj viktimave, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona të moshuar.

JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve lokale dhe Policisë për të hetuar rastin, për të identifikuar përgjegjësit dhe për të marrë masa parandaluese, ndërsa fton prindërit dhe komunitetin të reagojnë për të parandaluar përsëritjen e sjelljeve të tilla.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit