Një qytetar nga Maqellara i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, ku shprehet i indinjuar për një situatë të papranueshme pranë qendrës shëndetësore të zonës.
Sipas tij, në muajin maj, gjatë fushatës zgjedhore, bashkia ndërhyri me fadromë dhe prishi murin e qendrës shëndetësore me premtimin se aty do të bëhej një parking, pasi rruga shpesh bllokohej nga trafiku. Megjithatë, edhe pse ndërhyrja u bë me bujë në prag të zgjedhjeve, sot, katër muaj më pas, muri vijon të qëndrojë i prishur dhe zona është lënë në gjendje skandaloze.
Qytetari shprehet për JOQ Albania:
“Në muajin maj, në fushatë, erdhi fadroma e bashkisë dhe e prishi murin te qendra shëndetësore për të bërë parking. Mirëpo, e prishën dhe e lanë. Kanë kaluar katër muaj dhe askush nuk është kujtuar më. Si mbaruan zgjedhjet, u harrua gjithçka. Ja si duket sot, për faqe të zezë.”
Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi tek banorët, të cilët kërkojnë që bashkia të mbajë përgjegjësi dhe të përfundojë punimet, përndryshe qendra shëndetësore do të vazhdojë të shëmbëllejë më shumë si një zonë e braktisur sesa një institucion shëndetësor.