Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, ku dy persona kanë humbur jetën tragjikisht.
Mësohet se viktima janë babë e bir, të cilët udhëtonin së bashku me një automjet tip veturë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:20, kur drejtuesi i mjetit dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një tabelë reklame buzë rrugës. Përplasja ka rezultuar fatale për të dy personat që ndodheshin në automjet.
Banorët e zonës shprehen të tronditur nga aksidenti, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë policia dhe shërbimet mjekësore, por për fat të keq, nuk mundën të bënin asgjë për shpëtimin e jetëve të tyre.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 18:20, në aksin rrugor “Shkodër – Hani i Hotit”, automjeti me drejtues shtetasin V. B., rreth 32 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me një reklamë në rrugë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën në vendngjarje shtetasi V. B. dhe babai i tij, shtetasi N. B., 76 vjeç, pasagjer në automjet.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.