Masakër mjedisore në Fushë-Arrëz: Lajthiza po mbush malin e Krrabit me plehra!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.09.2025, 19:06

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Fushë-Arrëz, i cili shprehet i alarmuar nga një masakër mjedisore që po ndodh në zonën malore të Krrabit.

Në pamjet e dërguara prej tij, shihet qartë se mbeturinat kanë pushtuar të gjithë zonën, duke shëmtuar një peizazh natyror që dikur dallohej për ajrin e pastër dhe pyjet me pisha.

Sipas qytetarit, mbetjet që ndodhen aty i përkasin edhe kompanisë Lajthiza, pasi ai ka parë shpesh kamionë të saj duke lëvizur në këtë zonë. Gjithsesi, mbetet e paqartë nëse mbetjet janë hedhur drejtpërdrejt nga kjo kompani apo mund të jenë sjellë nga subjekte të tjera që përdorin produktet e saj.

Denoncuesi shkruan për JOQ Albania:

“Ndodhem në Fushë-Arrëz, rruga e Krrabit. Jemi në male, por prej kohësh këtu hidhen mbeturina çdo ditë. Vendi është mbushur plot e përplot. Po bëhet dita-ditës më keq, ndërkohë që nuk po merret asnjë masë. Kjo zonë është e mrekullueshme, me ajër të pastër dhe pisha, por po shkatërrohet nga mbeturinat. Ju lutem merrni masa sa më shpejt.”

Situata paraqitet tejet shqetësuese, pasi natyra po ndotet dhe shkatërrohet bukuria e maleve shqiptare, banorët rrezikohen nga ndotja, sëmundjet dhe kafshët e rrezikshme, ndërsa imazhi i Shqipërisë si vend turistik dëmtohet rëndë.

Ky denoncim ngre një alarm serioz për institucionet përgjegjëse, të cilat deri tani nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e ndotjes.

Qytetari kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet që ta ndalin këtë masakër mjedisore, përpara se të jetë shumë vonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit