Gramoz Lima, një fermer nga fshati Suk 2 në Fier, i cili prej një dekade i përkushtuar ndaj bujqësisë, këtë vit ka përjetuar zhgënjimin më të madh.
Në një sipërfaqe prej 5 dynymësh serë, ai ka kultivuar dy kultura kryesore, trangull dhe domate, por për fat të keq, prodhimi i tij nuk ka gjetur treg.
“Pikat e grumbullimit nuk e duan këtë trangull, është pa lek. Asnjë kilogram nuk u ble. I gjithë prodhimi përfundoi në kanal. Fëmijët na kanë mbetur pa bukë,” – rrëfen me dëshpërim Lima, i cili thekson se përgjegjësinë për këtë situatë nuk e mbajnë vetëm fermerët, por edhe Ministria e Bujqësisë.
Ai kritikon mungesën e analizave laboratorike dhe mënyrën se si janë shpërndarë fondet e AZHBR-së, të cilat, sipas tij, kanë përfunduar në kioska dhe magazina, jo në ndihmë të fermerëve: “Nëse ky prodhim është me helme, më çoni në burg. Por mos e lini kështu. Ndërtoni laboratorë, jo fasada,” – thotë ai.
Ndërsa trangulli nuk ka treg fare, domatet po blihen me një çmim që nuk mbulon as kostot minimale të prodhimit.
Ai thotë se ka pritur për më shumë se një javë që tregtarët të interesoheshin për prodhimin e tij, por askush nuk ka ardhur. Si pasojë, e gjithë sasia e trangullit do të përfundojë si ushqim për bagëtitë.
Situata e Gramozit nuk është e vetme. Dhjetëra histori të ngjashme raportohen në zonat bujqësore të Fierit, Beratit dhe Lushnjës. Kjo krizë është përshkallëzuar pasi shtete si Kroacia dhe Sllovenia kanë bllokuar importet e perimeve dhe frutave shqiptare për shkak të niveleve të larta të pesticideve.
Rasti i Gramozit është një pasqyrë e dhimbshme e gjendjes aktuale të bujqësisë në vend – një sektor që, në vend të kthehet në krenari kombëtare për eksportin e produkteve shqiptare, po kthehet në një histori perimesh të kalbura dhe mundi të hedhur dëm.