Të rinjtë dhe puna me orë të gjata në Call Center: Pasoja në shëndetin fizik dhe mendor

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.09.2025, 14:24

Të rinjtë në Shqipëri po bëjnë kompromis me shëndetin e tyre për të siguruar një pagë minimale. Të ulur me orë të tëra përpara kompjuterit, me kufje në vesh dhe nën presion të vazhdueshëm, ata po përballen me pasoja serioze shëndetësore.

Një studim i fundit mbi sektorin e call-centerave zbulon se 60% e të punësuarve raportojnë dëmtime të shtyllës kurrizore, probleme me dëgjimin, shikimin dhe shëndetin mendor, për shkak të kushteve të vështira të punës.

95% e tyre kanë raportuar spoliartrozë, shqetësime me sytë, veshët dhe probleme të tjera serioze,” deklarojnë përfaqësuesit nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë.

Pavarësisht detyrimeve ligjore, mjeku i punës shpesh ekziston vetëm në letra. Kontrolli shëndetësor mungon, ndërsa ambientet e punës shpesh nuk përmbushin as standardet më minimale. Call-centera të shumta operojnë në ambiente të marra me qira, ku mbushen me kompjuterë dhe punonjës, pa respektuar hapësirat, ndriçimin apo kushtet ergonomike.

Një i ri, me përvojë 16-vjeçare në këtë sektor, ka rrëfyer për TCH:

Kam kompjuter të vitit 2010 dhe kufje që i përdorim me turne tre veta. Nuk ka kushte minimale.

Megjithëse kontratat parashikojnë vetëm 6 orë pune në ditë, punonjësit raportojnë se janë të detyruar të punojnë dyfishin e orarit për të siguruar një pagë që mjafton për jetesë.

Kompanitë e call-centerave duket se janë të fokusuara vetëm tek volumi i telefonatave dhe shitjeve, duke lënë në harresë mirëqenien e punonjësve. Ndërkohë, mungesa e kontrolleve institucionale e thellon edhe më tej problemin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit