Investigimi i mediave të huaja: Klani Çela-Çopja aleancë me mafian italiane, trafikuan 28 ton kokainë për një vit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.09.2025, 12:39

Një prej organizatave më të fuqishme shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës u shkatërrua muajin e kaluar. Operacioni, i zhvilluar mes Shqipërisë, Belgjikës dhe Republikës Dominikane, çoi në arrestimin e 11 personave, mes tyre edhe drejtuesit kryesorë të klanit, vëllezërit Ervis dhe Ardian Çela. Hetimi u udhëhoq nga SPAK, i cili lëshoi 16 urdhër-arreste dhe shënjestroi bazën e grupit në Elbasan.

Rrënjët në Paraguaj dhe Bolivi

Rënia e këtij klani nxori në dritë lidhjet e drejtpërdrejta të shqiptarëve me prodhuesit e kokainës në Amerikën Latine. Vëllezërit Çela jetonin në Paraguaj, ku mbikëqyrnin procesin e blerjes nga Bolivia, magazinimin dhe përgatitjen e ngarkesave drejt Europës. Atyre u atribuohet ndikimi në çmimin e kokainës në tregun europian, pasi kontrollonin çdo hallkë të zinxhirit: nga burimi i lëndës, deri te shpërndarja dhe pastrimi i parave në Shqipëri, Paraguaj dhe Bolivi.

Ngarkesat që tronditën Europën

SPAK ka zbuluar se grupi ishte përgjegjës për transportin e të paktën 28 tonëve kokainë mes viteve 2020–2021. Një prej dërgesave, 11,6 tonë të fshehura në kuti sapuni dhe kanoçe boje, mbërriti në portin e Antuerpit në Belgjikë, ndërsa një tjetër prej 16,4 tonësh u kap në Hamburg të Gjermanisë – kapja më e madhe e drogës në historinë e Europës.

600 kilogramët e humbur në Roterdam

Në një episod tjetër të dokumentuar nga hetuesit, rreth 600 kilogramë kokainë u zhdukën gjatë ndalesës së një anijeje në portin e Roterdamit. Droga u gjet më pas në një apartament të qytetit, ku u arrestuan dy shqiptarë dhe u sekuestruan 2 milionë euro. Ky incident tregoi jo vetëm shtrirjen e trafikut, por edhe konkurrencën e egër mes grupeve që operonin në portet më të mëdha të Europës.

Aleanca me mafien italiane dhe PCC-në braziliane

Hetimet ndërkombëtare kanë zbuluar se shqiptarët nuk vepronin të vetëm. Klani Çopja–Çela ishte pjesë e një rrjeti të gjerë që bashkëpunonte me mafien italiane ‘Ndrangheta, me “Mocro Maffia”-n holandeze dhe me grupin e fuqishëm brazilian PCC (Primeiro Comando da Capital). Këto aleanca siguronin jo vetëm linjat e transportit, por edhe mbrojtjen territoriale dhe pastrimin e fitimeve kolosale të drogës.

Nga Elbasani në portet e Europës

Nga rrugicat e Elbasanit, ku klani kishte bazën, deri te portet e mëdha si Antuerpi, Roterdami dhe Hamburgu, shqiptarët kishin arritur të krijonin një perandori të mirëfilltë kriminale. Arrestimet e fundit janë një goditje e rëndësishme, por hetuesit ndërkombëtarë besojnë se shumë prej linjave të furnizimit dhe kontakteve të krijuara gjatë viteve vijojnë të jenë aktive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit