Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala.
Gjatë takimit me bluzat e bardha, Rama theksoi nevojën për një qasje të re në sistemin shëndetësor dhe ambicien për ta ngritur QSUT-në në nivelet më të larta ndërkombëtare.
“Duhet të tërheqim jo vetëm mjekët shqiptarë që punojnë jashtë vendit, por edhe mjekë të huaj për të punuar bashkë me ju,” u shpreh Rama, duke nënvizuar se vendi nuk duhet të vendosë limite në ambicie.
Rama u shpreh se QSUT duhet të synojë të jetë mes 500 spitaleve më të mira të botës.
“Nuk mund të pretendojmë të hyjmë në 100 spitalet më të mira për 1001 arsye, por nuk ka asnjë arsye pse QSUT të mos jetë në 500 më të mirat,” deklaroi ai.
Por teksa fliste për mjekët e huaj dhe synimin e QSUT-së për t’u bërë një ndër spitalet më të mira të botës, Rama harroi faktin se shqiptarët janë të detyruar të blejnë vetë medikamentet bazë në spitale dhe se duhet të presin me orë të tëra mjekët që numërohen me gishtat e dorës.
E duke u ndalur te ky fenomen me nivele alarmante, përmendim të dhënat e fundit të OBSH-së, të cilat tregojnë se rreth 150 mjekë largohen çdo vit nga Shqipëria, një numër që përputhet me numrin vjetor të diplomuarve në universitetin e mjekësisë.
Ky fluks i lartë ka çuar në një shtim të mjekëve shqiptarë në vendet e huaja, ku në vitin 2020, 1,060 mjekë shqiptarë punonin në 38 shtete të tjera. Vetëm në Gjermani, numri i mjekëve shqiptarë është rritur nga 149 në 988 ndërmjet 2013 dhe 2021.