Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ku tregon se shëndetësia shqiptare nuk është në kushtet e duhura të një vendi që aspiron për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një prind ka dërguar një denoncim lidhur me spitalin e Durrësit.
Ai thotë se fëmija i tij vetëm 5 vjeç është në gjendje të rëndë dhe kërkohet urgjentisht të niset me urgjencë në oksigjen nga spitali i Durrësit ku është shtruar prej një jave drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Këtë e ka kërkuar mjekja që ndjek rastin, pra që i ka kryer kontrollet përgjatë një jave fëmijës, mirëpo spitali i Durrësit nuk ka ambulancë në dispozicion për të dërguar fëmijën drejt Tiranës.
“Këtu jemi në spitalin e Durrësit. Kam fëmijën 5 vjeç të shtruar nga një javë në pediatrinë e Durrësit dhe sot kërkohet që fëmija të niset për mjekim në Tiranë sepse gjendja është përkeqësuar. Doktoresha që e ndjek do ta dërgojë në Tiranë, por është e nevojshme të niset me urgjencë me oksigjen. Këtu në spital thonë që nuk ka ambulancë”, shprehet prindi për JOQ.
Situata tregon mungesën e mjeteve bazë të transportit për raste urgjente në spitalin e Durrësit, duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientëve më të vegjël. Një thirrje urgjente i bëhet autoriteteve, Spitalit të Durrësit, Ministrisë së Shëndetësisë me tashmë ministre Evis Sala për të siguruar shërbimet e nevojshme dhe për të parandaluar tragjedi të mundshme.