Vranë turkun duke e goditur 30 herë me thikë, shqiptari dhe dy italianët në pranga

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.09.2025, 10:41

Policia italiane ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen brutale të një shtetasi italian me origjinë turke, trupi i të cilit u gjet i karbonizuar më 23 korrik në një apartament në Sesto San Giovanni, në provincën e Milanos.

Të arrestuarit janë një shtetas italian, një shtetas shqiptar dhe një grua italiane. Hetimet zbuluan se viktima, 62-vjeçari Hayati Aroyo, ishte goditur me thikë rreth 30 herë përpara se autorët të përpiqeshin të zhduknin provat duke i vënë flakën trupit dhe banesës.

Falë analizës së pamjeve nga kamerat e sigurisë, të dhënave telefonike dhe përgjimeve, hetuesit arritën të rindërtonin lëvizjet e autorëve dhe të përcaktonin rolet e secilit gjatë natës së krimit. Sipas mediave italiane, tre të dyshuarit ushqenin një urrejtje të thellë ndaj viktimës për arsye ende të paqarta, gjë që besohet se ka çuar në vendimin për ta eliminuar atë.

Shtetasi shqiptar dhe italiani janë dërguar në burgun e Busto Arsizio, ndërsa gruaja ndodhet në burgun e Milanos, në pritje të masës së sigurisë.

Hayati Aroyo, kunati i bosit të njohur të mafies turke Huseyin Sarai – i vrarë në Crotone më 2005 – nuk kishte lidhje me aktivitetet kriminale të familjes. Për shkak të gjendjes së rëndë të trupit, identiteti i tij u konfirmua disa ditë pas ngjarjes, përmes gjurmëve të gishtërinjve.

Viktima po qëndronte përkohësisht në apartamentin e marrë me qira nga një student 20-vjeçar, i cili ndodhej me pushime jashtë vendit në kohën e ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit