Policia në Málaga ka goditur një bandë kriminale me origjinë shqiptare, duke arrestuar dy të rinj, 21 dhe 23 vjeç, të cilët po përgatitnin një tjetër valë grabitjesh në lagje rezidenciale. Të dy u ndaluan në një bujtinë në qendër të qytetit më 8 shtator, si pjesë e operacionit policor të koduar “Kapaku”. Hetimet zbuluan se ata ishin pjesë e një grupi me veprimtari itinerante, që gjatë muajit gusht kishte realizuar 11 grabitje në zonat El Candado, Guadalmar dhe Churriana.
Sipas autoriteteve spanjolle, të dyshuarit vepronin në orët e vona të natës, duke kapërcyer muret e vilave dhe duke hyrë me forcë përmes dritareve apo dyerve. Ata ishin të pajisur me mjete të posaçme për thyerje dhe mbanin kapuçë për të fshehur identitetin, duke shmangur kontaktin me banorët dhe grabitur para e bizhuteri në heshtje. Banorët i zbulonin vjedhjet vetëm në mëngjes.
Pas serisë së grabitjeve në Málaga, dy të rinjtë ishin larguar përkohësisht drejt bregdetit të Levantes për t’i shpëtuar vëmendjes së policisë, por u kthyen sërish në qytet për të vijuar veprimtarinë. Ata ndodhen aktualisht në paraburgim me urdhër gjykate, ndërsa hetimet janë ende në vijim për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet kriminal.