Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë vitit 2025, 28,0% e ndërmarrjeve me mbi 10 të punësuar kanë shitur produkte ose shërbime nëpërmjet kanaleve online, duke shënuar një rritje prej 3,5% krahasuar me vitin 2024. Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet në fushën e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor me 48,2%, ndjekur nga Aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe Teknike me 44,8% dhe Aktivitetet e Informacionit dhe Komunikimit me 43,3%.
Në vitin 2025, vlera e xhiros së realizuar nga shitjet online ka arritur në 10,1%, duke pësuar një rritje prej 0,6% në krahasim me vitin 2024. Aktivitetet e Tregtisë me shumicë dhe pakicë mbajnë pjesën më të madhe të xhiros me 46,1%, pasuar nga Aktivitetet e Informacionit dhe Komunikimit me 16,5%. Përdorimi i mediave sociale nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter me akses në internet është rritur në 86,5%, nga 83,1% që ishte në vitin 2024.
Përdorimi i shërbimeve cloud është rritur me 3,8%, duke arritur në 33,8% të ndërmarrjeve që kanë akses në internet. Gjatë vitit 2025, 99,4% e ndërmarrjeve me 10 dhe më shumë të punësuar kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune, ndërsa 31,8% e ndërmarrjeve kanë specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Përdorimi i lidhjeve fikse në internet ka arritur në 100%, ndërsa 91,8% e ndërmarrjeve kanë pasur shpejtësi shkarkimi më të lartë se 30 Mbit/s dhe 50,4% kanë pasur shpejtësi më të lartë se 100 Mbit/s.