Në Korenë e Veriut, diktatori Kim Jong Un ka ndaluar përdorimin e disa fjalëve që i konsideron tepër “perëndimore”. Mes tyre janë edhe “hamburger”, “akullore” dhe “karaoke”.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, guidat turistike në resortin bregdetar të Wonsan-it janë urdhëruar të mos përdorin fjalë të huazuara nga anglishtja apo nga Koreja e Jugut kur flasin me vizitorë të huaj. Në vend të tyre, duhet të përdorin terma të shpikur nga regjimi: për shembull, hamburgeri duhet quajtur “bukë e dyfishtë me mish të grirë”, akullorja “eseukimo” dhe karaoke “makina e shoqërimit me ekran”.
Ky vendim është pjesë e një politike më të gjerë të regjimit për të forcuar kontrollin ideologjik dhe për të shmangur ndikimet e huaja. Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara thekson se gjatë dekadës së fundit shtypja në Korenë e Veriut është përshkallëzuar ndjeshëm.
Ligje të reja e bëjnë të paligjshme shikimin e filmave të huaj, dëgjimin e muzikës apo shpërndarjen e dramave televizive të vendeve “armike”, duke parashikuar ndëshkime të rënda që shkojnë deri në ekzekutime publike. Raporti thekson se që prej vitit 2018 dhe sidomos pas vitit 2020, janë organizuar gjyqe dhe ekzekutime publike për të “futur frikë” tek qytetarët.
Megjithatë, pavarësisht rrezikut, shumë banorë të Koresë së Veriut vazhdojnë të konsumojnë në mënyrë të fshehtë filma, muzikë dhe informacione nga jashtë.